Guvernatori Mehmeti bashkëbisedoi me studentë të Universitetit “Haxhi Zeka”

Në kuadër të aktiviteteve të Edukimit Financiar, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur drejtuesit dhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja me të cilët ka diskutuar rreth rolit të BQK-së në sistemin financiar dhe planet e BQK-së për të ardhmen.

Në adresimin para studentëve, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sektori bankar, i sigurimeve, i pensioneve dhe institucionet mikrofinanciare kanë pasur zhvillime pozitive këtë vit.

“Falë angazhimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, norma e interesit në kredi është ulur në 6.4%, me trend të vazhdueshëm të uljes. Zhvillime pozitive ka pasur edhe në sektorin e sigurimeve, që pas ndërmarrjes së masave nga BQK-ja në këto dy vitet e fundit ka pasur zhvillime pozitive. Gjatë këtij viti BQK-ja ka vazhduar furnizimin e tregut me valutën Euro”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.
 

Si zhvillim pozitiv të këtij viti, Guvernatori Mehmeti ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit me Bankën Qendrore Evropiane.

Ai ka deklaruar se parashikimet e BQK-së janë që në vitin e ardhshëm norma e rritjes ekonomike do të jetë 4.2% që është më e larta në krahasim me të gjitha vendet e rajonit.

Nga ana tjetër, studentët e Universtitetit “Haxhi Zeka” kanë shprehur interesimin për zhvillime të ndryshme në sektorët që i mbulon Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Stafi drejtues i Universtitetit, profesorët dhe studentët kanë falënderuar Guvernatorin Mehmeti për pritjen dhe bashkbisedimin e zhvilluar.