Mehmeti: BQK e angazhuar fuqishëm në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka siguruar bizneset se institucioni që e drejton është fuqishëm i angazhuar për të mbështetur rritjen e zhvillimit ekonomik.

Në diskutimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës me titull: Ndikimi i sektorit bankar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, Guvernatori Mehmeti ka thënë se sektori bankar viteve të fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e financimit, duke përshpejtuar ritmin e rritjes së kredive, si dhe ka shënuar progres në përmirësimin e kushteve për financim të qëndrueshëm të ekonomisë, përkatësisht bizneseve.

“Gjatë këtij viti rritje të kredive ka pasur në sektorin e bujqësisë dhe sektorin e prodhimit. Mbështetja më e madhe për këta sektor të ekonomisë, por edhe për sektor të tjerë që kanë potencial më të madh për të gjeneruar rritje ekonomike është e domosdoshme për të pasur një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Në tetor 2018, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.6%, që paraqet një përmirësim të theksuar nëse e krahasojmë me 4 vite më parë. Gjithashtu rënia e normës së interesit në kredi vërehet qartë në të gjithë sektorët. Norma e interesit në kredi për bujqësi ka zbritur në 7.5% nga 16.7% sa ishte 5 vite më herët, në sektorin e industrisë norma e interesit ka shënuar rënie në 5.8% kahasuar më 12.2% sa ishte para 5 viteve, gjithashtu në sektorin e shërbvimeve norma e interesit ka shënuar zbritje në 6.3% nga 11.1%.  Po ashtu në masë të madhe janë lehtësuar edhe standardet e aprovimit të kredive është zvogëluar kërkesa për kolateral, si dhe është zgjatur afati për maturimin e kredisë. Një hap i rëndësishëm për këta sektor është bërë edhe me themelimin e Fondit Garantues të Kredive”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së, ka thënë se BQK-ja me të gjitha kapacitetet e saj është e angazhuar për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar, duke ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbështetjen e zhvillimit të institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për organizimin e këtij diskutimi, duke shprehur vlerësim të lartë për kontributin që bizneset po japin në zhvillimin e vendit.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka ka thënë se sektori bankar ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin e veprimtarive si; prodhim, tregti, shërbime që sot po lulëzojnë në vendin tonë.

“Përgëzoj BQK-në për punën që ka bërë në krijimin e një sistemi të shëndoshë financiar, që natyrisht është shtyllë e rëndësishme e një ekonomie në zhvillim siç është rasti me Kosovën, po ashtu edhe për vetë faktin që ky ka qenë sistem i shëndosh financiar, i cili e ka paraqitur Kosovën në raporte me tone pozitive. Është inkurajues fakti që norma e kredive është përgjysmuar përgjatë viteve të fundit, gjë që na jep shpresë se sektori bankar do të vazhdojë të financojë projekte tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit edhe në të ardhmen”.