Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti po merr pjesë në takimet e rregullta vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore

Një delegacion i lartë i Republikës së Kosovës i përbërë nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Ministri i Financave, Bedri Hamza po marrin pjesë në takimet rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahet në Bali të Indonezisë.
Delegacioni i Kosovës do të marrë pjesë në seancat e rregullta plenare të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore. Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Hamza do të takohen me zyrtarë të lartë menaxhues të FMN-së dhe të Bankës Botërore.

Gjithashtu, në kuadër takimeve vjetore të FMN-së do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit mes Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore të Turqisë, Murat Çetinkaya. Takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Bali të Indonezisë do të përmbyllen më 14 tetor 2018.