Guvernatori Mehmeti ndau çmimet për ”Ekonomistë të Rinj”

Në funksion të zhvillimit të hulumtimit ekonomik, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, tashmë tradicionalisht jep çmimin për hulumtuesit më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj, në fushën e sistemit financiar dhe zhvillimit ekonomik në vend. Në ambientet e BQK-së Guvernatori Mehmeti ndau çmimet për punimet fituese të paraqitura për çmimin Ekonomisti i Ri për vitin 2017.Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të punimeve më të mira hulumtuese në fushën e ekonomisë dhe financave, komisioni profesional, shpalli fituesit e Çmimit Ekonomist i Ri për vitin 2017 si në vijim: Vendi i dytë: Hulumtimi me titull “Portfolio risk of international diversification of Kosovo Pension Fund: a historical perspective” punuar nga Florin Aliu dhe vendi i tretë: hulumtimi me titull “Plasimi i produkteve të Kosovës në tregun e Bashkimit Evropian: Aplikimi i strategjive diferencuese si faktor signifikant.”punuar nga Arian Krasniqi.


Guvernatori Mehmeti në pritjen e organizuar për fituesit e çmimeve theksoi rëndësinë e hulumtimeve ekonomiko-financiare si dhe u shpreh : “Jam i kënaqur që jeni zgjedhur për të fituar çmimin ekonomistë të rinj. Punimet që janë përzgjedhur të jenë shtytëse për zhvillimit ekonomik të vendit. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur zhvillim të stabilitetit financiar dhe ky është një nga qëllimet e mia kryesore prej se jam emëruar në pozitën e Guvernatorit. Andaj qëllimi ynë kryesor është që fillimisht të kemi stabilitetin financiar ku aktualisht jemi më së miri në rajon. Ne planifikojmë t’i zgjerojmë funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në funksion të përkrahjes së ekonomisë dhe një nga hapat do të jetë edhe aprovimi i rregullores për licencimin e fondeve investive në Kosovë, që është një plotësues për ekonominë dhe besoj që me këtë hap do të kemi dy ose tri fonde investive. Gjithashtu jemi duke krijuar edhe një qendër të përditësimit të transaksioneve të kartelave në Kosovë si një projekt shumë i madh dhe i rëndësishëm dhe krejt këto po bëhen me qëllim të rritjes së funksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës. Ajo që kërkoj nga ju është që përvojën dhe shkollimin që e fitoni jashtë vendit ta bartni në Kosovë me qëllim që ekonomia të ecë përpara”.
Fituesit e çmimeve po ashtu falënderuan Guvernatorin për përkrahjen e nismave të tilla nga BQK-ja e që janë në dobi të hulumtuesve të rinj.