Një delegacion i BQK-së i kryesuar nga Kryetari i Bordit të BQK-së z. Bedri Peci po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë

Bashkëpunimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me bankat homologe dhe institucionet financiare ndërkombetare të Evropës dhe me gjërë i shtohet edhe bashkëpunimi me Bankën e njohur në botë, Riksbank e Suedisë . Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Bordit Prof. Dr. Bedri Peci dhe i përbërë nga anëtari i Bordit të BQK-së Nuhi Ahmeti, Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare z.Lulzim Ismajli dhe Udhëheqësi i Divizionit për Parandalimin e Pastrimit të Parave z.Labinot Preniqi, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë, Riksbank. Delagacioni u takua me Kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Riksbank znj. Susanne Eberstein, Zëvendëskryesuesin e Këshillit të Përgjithshëm z.Michael Lundholm, Guvernatorin z.Stefan Ingves dhe Zëvendësguvernatorin z.Henry Ohlsson. 

Me këtë rast, u diskutuan modeli dhe struktura qeverisëse në Bankën Qendrore të Kosovës dhe atë të Suedisë, gjendja e sektorit financiar, politika monetare, menaxhimi i rezervave shtetërore, rritja e efikasitetit të sistemit të pagesave dhe sfidat kryesore që ballafaqohet bankingu qendror në Republikën e Kosovës.
Përfaqësuesit e Bankës së Suedisë i premtuan delegacionit të BQK-së që t’i ofrojë mbështetje për projektin elektronik të pagesave përmes mobilit të quajtur “Swish” të cilin banka suedeze e ka implementuar kohë më parë.
Në përmbyllje të takimit Kryetari i Bordit të BQK-së z. Peci ftoi kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore të Suedisë znj. Eberstein që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila me kënaqësi e pranoi këtë ftesë.