Eksperienca e Kosovės

Eksperienca e Kosovës me euroizimin e ekonomisë së saj

1. SFIDAT E NDRYSHIMIT

Përshtatja e dem


Një nga sfidat e shumta që Kosova përballoi pas konfliktit ishte zgjedhja e një strukture monetare. Duke patur parasysh ngutjen e madhe për zotërime në para të gatshme të këmbimit valutor dhe zhdukjen e dinarit jugosllav si një mjet transaksionesh, nuk ishte befasuese që në shtator të vitit 1999, me anën e një prej rregullave të tij të parë “Mbi monedhën e lejuar për përdorim në Kosovë”, UNMIK-u aprovoj përdorimin e markës gjermane dhe të monedhave të tjera të huaja në Kosovë.

Në fakt, ishte popullsia e Kosovës e cila adoptoi markën gjermane si monedhën e saj të përbashkët. Rregulli i UNMIK-ut thjesht e identifikoi markën gjermane si monedhën me të cilën buxhetet, të dhënat financiare dhe llogaritë e organizatave publikë, agjencitë dhe institucionet, dhe vetë UNMIK-u, do të formuloheshin. Në të njëjtën kohë, ky rregull u ofronte palëve liri për çdo kontratë apo transaksion tjetër vullnetar, për të emërtuar një transaksion të tillë në një valutë të pranuar gjerësisht e të miratuar prej tyre. Për më tepër, ky rregull i largonte të gjitha kontrollet dhe kufizimet e këmbimit valutor, nga zotërimi, përdorimi apo vendosja e çdo valute, në monedha të gatshme apo në një llogari bankare, të ndodhura brenda apo jashtë territorit të Kosovës.

Marka Gjermane u adoptua në mënyrë të njëanshme, si një monedhë e ligjshme de facto në Kosovë, dhe nuk pati ndonjë negociatë me Bundesbankën Gjermane apo Bankën Qendrore Evropiane në atë kohë.

Adoptimi i markës gjermane dhe më pas adoptimi i euros, nuk ishte i rastësishëm. Ai pasonte dy dekada të paqëndrueshmërisë ekstreme monetare, shoqëruar me një shkallë të lartë të përdorimit jozyrtar të markës gjermane si një rezervë vlerash dhe mjet shkëmbimi. Në periudhën e para-konfliktit, marka gjermane ishte valuta më e përdorur; kishte shuma të konsiderueshme të parave të gatshme në qarkullim. Popullsia ishte e familjarizuar me këtë monedhë.

Adoptimi i strukturës monetare bazuar në përdorimin e markës gjermane u paraqit si një zgjedhje e natyrshme. Përdorimi i një monedhe të qëndrueshme ishte i rëndësishëm në mirëmbajtjen e një stabiliteti makroekonomik dhe luante një rol vendimtar në rindërtimin e besimit të njerëzve në sektorin financiar. Ajo gjithashtu, u përcaktua që të siguronte një mbështetje domethënëse për një strategji zhvillimi të drejtuar nga jashtë, e cila më shumë sesa një zgjedhje ishte një nevojë, duke patur parasysh përmasat e tregut të brendshëm.

Kalimi nga dem në euro

Kur në fillim të vitit 2002 u bë zëvendësimi i monedhave të trashëguara në euro në vendet e Eurozonës, u bë gjithashtu i nevojshëm zëvendësimi i Markës Gjermane në Kosovë. Ish BPK-së (tani BQK – Banka Qendrore e Republikës së Kosovës) iu besua drejtimi i këtij projekti me qëllim sigurimin e një kalimi të qetë dhe të sigurt në euro, dhe mundësisht me kosto sa më të ulët. Mbështetja e pakufizuar për këtë projekt nga UNMIK-u dhe BE siguroi ndihmën e nevojshme dhe të fortë në ndryshimin dhe miratimin e legjislacionit themelor.

Në ndryshim me “adoptimin” e markës gjermane si monedha kryesore në Kosovë në vitin 1999 ose për ta përshkruar më mirë, legalizimi i përdorimit të gjerë të saj, kalimi në euro duhet të bëhej në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane, si edhe me disa banka qendrore kombëtare në Eurozonë. Me të vërtetë, futja në përdorim e kartëmonedhave dhe e monedhave Euro duhej të bëhej me ndihmën dhe asistencën e vendeve të Zonës Euro.

Rrethanat e veçanta me të cilat përballeshin autoritetet në Kosovë, shfaqën sfida të shumta në përgatitjen për tërheqjen e markës gjermane dhe injektimin e euros. Shkalla e lartë e orientimit të parave të gatshme në ekonomi nënkuptonte që nuk kishte mënyrë direkte për vlerësimin e vëllimit të markës gjermane në qarkullim dhe për rrjedhojë, shpërndarjen e saj sipas denominacioneve. Bazuar në vendimet e marra nga BQE (Banka Qendrore Evropiane), e cila i lejonte bankat qendrore të jo-Eurozonës që të shpërndanin kartëmonedhat dhe monedhat euro nga fillimi i dhjetorit të vitit 2001, ish BPK-ja vendosi që të shpërndaheshin rreth 100 milionë euro përpara 1 janarit të vitit 2002.


2. PËRFITIMET E EUROIZIMIT

Mbështetja për zhvillimin e sektorit financiar


Eurozimi mbështeti zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës, i cili duhej të krijohej nga fillimi pas konfliktit. Në fillim, në Kosovë nuk kishte banka dhe praktikisht të gjitha transaksionet bëheshin në para të gatshme. Në fakt, për gati dy vite, në Kosovë nuk kishte sektor financiar dhe entiteti i vetëm financiar, Micro Enterprise Bank (MEB), ishte i specializuar në mikrokredi. Megjithatë, dy vitet e ardhshme dëshmuan një zhvillim të vrullshëm të ndërmjetësimit financiar në Kosovë, veçanërisht atë të sektorit bankar. Midis marsit dhe nëntorit 2001, u themeluan gjashtë banka, të cilat sollën një konkurrencë aq të nevojshme në këtë sektor.

Në vitet 2002 dhe 2003, shtatë bankat tregtare të Kosovës u zgjeruan në mënyrë domethënëse. Duke patur parasysh përmasat e vogla të ekonomisë dhe popullsisë së Kosovës, dhe përvojat negative me bankat në të kaluarën, sistemi financiar i Kosovës karakterizohet nga një pjesëmarrje e fuqishme e entiteteve të huaja.

Në fund të dhjetorit 2004, sistemi financiar i Kosovës përbëhej nga 7 banka, të cilat operonin përmes 247 zyrave, 14 institucione mikrofinanciare, 3 institucione të tjera jobankare, 7 kompani sigurimi dhe 1 kompani kursimi për pensione.

Pakësimi i parasë fizike nga qarkullimi

Pakësimi i parasë fizike nga qarkullimi ishte një nga objektivat kryesorë të ish BPK-së. Ndryshimi nga dem ne euro siguroi një mundësi unike për ta arritur këtë objektiv dhe në të njëjtën kohë ndihmoi në forcimin e sistemit bankar. Ish BPK-ja planifikoi që t’i këmbente shumat familjare deri në 1,000 marka gjermane për një person falas, dhe vendosi një tarifë prej 2 për qind për shumat ndërmjet 1,000 dhe 10,000 marka gjermane; kjo gjithashtu ishte edhe shuma maksimale e lejuar e këmbimit të parasë fizike. Shumat të cilat e tejkalonin 10,000 dm duhej të vendoseshin si depozita bankare në euro. Në të njëjtën kohë, u bë çdo përpjekje për të lehtësuar rolin e ndërmarrjeve të shitjeve në heqjen e markës gjermane nga qarkullimi përmes një procesi të natyrshëm.

Vendosja e kufijve maksimalë mbi shumat e këmbimit, si edhe përcaktimi në mënyrë të qartë i afatit të fundit të periudhës së qarkullimit të dyfishtë të monedhave, i inkurajoi së tepërmi mbajtësit e parasë fizike që t’i depozitonin paratë e tyre në banka, në vend që të rrezikonin që të mos t’i këmbenin ato në kohë. Kjo strategji u shoqërua me stimuj nga bankat, të cilat tashmë kishin përmirësuar dhe shumëfishuar shërbimet e tyre, për të tërhequr klientë të rinj që të hapnin llogaritë e tyre. Edhe pse ky skenar duket i thjeshtë, zbatimi i tij paraqiste disa probleme. Problemi më i rëndësishëm, sigurisht, ishte mungesa e vazhdueshme e besimit në sistemin bankar. Kjo u rëndua më së tepërmi nga një qasje ende e kufizuar e shërbimeve bankare. Në këtë kohë, bankat tregtare të Kosovës kishin në dispozicion vetëm 24 zyra, ndërsa ish BPK operonte përmes një rrjeti pune prej 23 zyrash, nga të cilat më shumë se gjysma ishin agjenci të vogla lokale, të cilat hapeshin vetëm me orare të kufizuara, dhe 7 grupe bankash të lëvizshme.

Hedhja në qarkullim e euros përfundoi me sukses më 28 shkurt 2002. Kështu, nga ky moment, ekonomia e Kosovës është “euroizuar” tërësisht dhe në mënyrë të efektshme. Eurozimi shpesh përkufizohet si adoptimi i Euros si monedhë ligjore dhe monedhë zyrtare nga autoritetet e një vendi jashtë Zonës Euro. Ky përkufizim nënkupton gjithashtu, që autoritetet vendosën që të refuzonin instrumentet e politikave të tyre monetare dhe të braktisnin monedhën e tyre kombëtare. Duke marrë parasysh përdorimin e gjerë jozyrtar të markës gjermane dhe rolin e saj, UNMIK-u e pranoi këtë zgjedhje si një “fait accompli” (fakt i kryer).

Stabiliteti monetar

Në kohën kur Kosova zgjodhi eurozimin ajo po vendoste një themel monetar të shëndoshë të nevojshëm për rindërtimin ekonomik, shoqëror dhe politik në vitet që do të pasonin.

Adoptimi i euros si një monedhë kombëtare solli gjithashtu, stabilitet monetar në Kosovë. Rreziku i zhvlerësimit të monedhës kombëtare u zhduk. BQK-ja, e cila vepron si një agjent fiskal i Qeverise së Republikës së Kosovës, nuk ndërmerr rrezik këmbimi, ndërsa administron rezervat zyrtare. Këto rezerva investohen kryesisht brenda vendeve të Zonës Euro, në banka qendrore dhe në institucione financiare me norma të larta. Ekonomia e Kosovës nuk përballon rreziqe këmbimi domethënëse. Në të njëjtën mënyrë, euroizimi ka penguar që në Kosovë të ketë normë të dyfishtë këmbimi të monedhës, ligjore dhe informale.

Zvogëlimi i kostos së transaksionit

Futja në përdorim e euros i thjeshtësoi dhe i zvogëloi dukshëm kostot e transaksionit si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, veçanërisht kur marrim parasysh rëndësinë e tregtisë brenda ekonomisë së Kosovës. Vendet fqinje, kryesisht Republikat ish-Jugosllave, mbeten partnerët kryesorë të tregtisë së Kosovës. Megjithatë, euro, ashtu si edhe marka gjermane përpara vitit 2002, përdoret gjerësisht në rajon.

Stabiliteti makroekonomik

Euroizimi në Kosovë kishte gjithashtu disa objektiva politikë afatgjatë. Euroizimi në Kosovë pritet që të kujdeset për stabilitetin ekonomik, të zgjidhë problemin e besueshmërisë, por kryesisht të rrisë disiplinën fiskale duke eliminuar mundësinë e riprodhimit të parave për të mbuluar deficitet fiskale. Pas një periudhe më të gjatë kohore kjo do të çojë në rritjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja.

Përgjithësisht, euroizimi pritet që të kujdeset për integrimin ekonomik të vendit, i cili ka adoptuar euron me ekonominë e vendit të emetimit të euros, në këtë rast e gjithë Zona e Euros. Tashmë vendi adoptues ka një ekonomi më të fortë ose lidhje politike me vendin emetues. Euroizimi në Kosovë nuk e ndoqi këtë strukturë, pasi ishte një rezultat direkt i shpërbërjes politike dhe ekonomike të ish-Jugosllavisë, dhe i ndërhyrjes së Kombeve të Bashkuara. Por duke parë në të ardhmen, kjo në fakt duhet të shpejtojë integrimin e plotë të Kosovës në Zonën e Euros.

Kostoja e euroizimit

Euroizimi, ndonëse kishte efekte pozitive mbi ekonominë, gjithashtu solli kosto. Edhe nëse e përjashtojmë koston e ndryshimit fillestar të parave të gatshme euro, humbja e të ardhurave nga “e drejta e zotëruesit”, dhe kostoja e mundësisë së mbajtjes së rezervave të parasë fizike për Bankën Qendrore, e çon në shuma të konsiderueshme. Megjithatë, kostot mund të konsideroheshin të përballueshme, krahasuar me përparësitë e euroizimit.

Pas adoptimit të njëanshëm të euros, BQK mbanë në disponim rezerva të parave të gatshme me qellim te furnizimit te ekonomise, të cilat mund të përdoren edhe në rrethana të jashtëzakonshme.

Nëse euroizimi nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet financiare në Kosovë, dhe nëse euroizimi ka sjellë kufizime në drejtimin e një politike të pavarur monetare, përparësitë e tij pa dyshim janë pozitive, kryesisht sepse përdorimi i euros ka ndikuar në stabilitetin e sektorit financiar.

[1] Shkëputur nga fjalimi i ish Drejtorit Menaxhues te BPK-se Z. Michel Svetchine në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare, mbajtur më 24-25 mars 2005 nga Bankën së Shqipërisë.